Pas një dekadë pritjeje, rishfaqet Rrëqebulli në Parkun Kombëtar të Shebenikut
Pas dhjetë vitesh monitorimi dhe vendosjes së kamerave në lokacione të ndryshme të Parkut Kombëtar të Shebenikut, është arritur një rezultat tërheqës: kamerat kurth të instaluara nga AlbNatyra në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura (ADZM) Elbasan kanë dokumentuar prezencën e Rrëqebullit Ballkanik (Lynx lynx balcanicus) në këtë park. Ky është një zhvillim i rëndësishëm për ruajtjen e biodiversitetit të këtij parku të mbrojtur dhe një arritje e madhe për përpjekjet e konservimit.
Rrëqebulli Ballkanik është një specie shumë e rrezikuar në rajon, dhe ky dokumentim vjen si një konfirmim i vlerës së habitatit të Parkut të Shebenikut për këtë lloj të veçantë. Prezenca e tij tregon se ekosistemi i këtij parku ofron kushte të përshtatshme për mbijetesën e këtij lloji të rrezikuar, dhe është një tregues i suksesit të masave të marra për ruajtjen e tij.
Ky moment është një kujtesë e rëndësishme për ne të gjithë për brishtësinë e natyrës dhe për domosdoshmërinë e përpjekjeve të vazhdueshme për konservimin e habitateve natyrore. Çdo imazh dhe video e kapur nga kamerat kurth kontribuon në krijimin e një pasqyre të plotë të biodiversitetit në Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe thekson nevojën për të vazhduar përpjekjet për mbrojtjen e këtij parku të veçantë.
Sipas Raportit të Ndërkombëtar për Konservimin e Natyrës (IUCN), Rrëqebulli Ballkanik është renditur si një specie në rrezik të madh dhe ka nevojë për mbrojtje të specializuar për të parandaluar zhdukjen e tij. Ky dokumentim është një hap i rëndësishëm për të siguruar që ky lloj të mund të vazhdojë të mbijetojë në habitatin e tij natyror dhe të kontribuoni në stabilitetin ekologjik të rajonit.
Duke theksuar rëndësinë e këtij zbulimi, AlbNatyra dhe ADZM Elbasan do të vazhdojnë të ndjekin dhe mbrojnë këtë specie të rrezikuar, duke e siguruar që Parku Kombëtar i Shebenikut të mbetet një refugj për biodiversitetin e tij të pasur.