Më 15 qershor, në ish-sektori pyjor i Sharrave në Qarrishtë – u organizua festa “Jehona e Maleve të Kuqe”. Ishte një ditë e veçantë ku banorët e fshatrave Qarrishtë, Dorëz, Librazhd Katund, Dragostunjë dhe Gizavesh u mblodhën për të festuar së bashku, për të ndarë kulturën dhe traditat e tyre, por edhe për të rikujtuar lidhjen e fortë që kanë me natyrën përreth tyre.
Në një ambient të hapur, në hijen e pemëve, u vendosën stenda me ushqime tradicionale të përgatitura nga vetë banorët. Kishte petulla, djathë të freskët, mjaltë vendi, pije të përgatitura në shtëpi dhe shumë të tjera që pasqyronin shijet dhe historinë e zonës. Por kjo festë nuk ishte vetëm për të ngrënë e për t’u argëtuar – ishte një mënyrë për të treguar se komunitetet rurale janë pjesë aktive e jetës së parkut.
Ishte pikërisht kjo që të mbeste në mendje teksa shikon komunitetin të bëhet bashkë. Banorët e këtyre fshatrave nuk janë vetëm “brenda parkut” – ata janë pjesë e tij. Ata e njohin më mirë se kushdo terrenin, pyjet, kafshët, dhe ndryshimet sezonale të natyrës. Janë ata që sinjalizojnë zjarret, shohin shenjat e pranishme të faunës, mbajnë shtigjet të hapura dhe ruajnë traditat që ndihmojnë në një marrëdhënie të qëndrueshme me mjedisin. Për breza me radhë, kanë jetuar në bashkëjetesë me natyrën – dhe kjo dije është një vlerë që nuk duhet humbur.
Prej vitesh, AlbNatyra ka qenë pjesë e këtij rrëfimi. Duke punuar ngushtësisht me komunitetin, AlbNatyra ka zhvilluar aktivitete që forcojnë rolin e banorëve në mbrojtjen e parkut – që nga edukimi i të rinjve për biodiversitetin, deri te përfshirja e të rriturve në punë vullnetare dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm. Shkollat verore, ekspeditat në natyrë, pastrimi i shtigjeve dhe vendosja e kamerave kurth janë vetëm disa nga format konkrete të bashkëpunimit që kanë sjellë ndikim real.
Festa “Jehona e Maleve të Kuqe” ishte një moment reflektimi për këtë bashkëpunim. Ajo tregoi se kur komuniteti është i angazhuar, natyra është më e mbrojtur. Dhe kur natyra është e mbrojtur, komuniteti jeton më mirë.
Në një kohë kur sfidat për ruajtjen e natyrës janë gjithnjë e më të mëdha, është e rëndësishme të kujtojmë se përfshirja e komuniteteve lokale nuk është vetëm një dëshirë – është një domosdoshmëri. Parku Kombëtar Shebenik nuk mund të menaxhohet nga larg. Ai kërkon praninë, vëmendjen dhe dashurinë e atyre që e quajnë shtëpi.


