Masakër mjedisore në Shkumbin: Ndërhyrjet në shtratin e lumit Shkumbin cënonjë ekosistemin e lumit dhe komunitetin
26 organizata mjedisore përmes një letre të hapur, kërkojnë të merren masa urgjente për respektimimin e standarteve mjedisore.
Elbasan, Shqipëri, 24 Shkurt 2026. 26 organizata mjedisore kombëtare dhe lokale përmes një letre të hapur, drejtuar qeverisë, kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë lidhur me ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin, në kuadër të punimeve për ndërtimin e rrugës nacionale Elbasan-Librazhd-Bushtricë, pjesë e Koridorit VIII.
Bazuar në vëzhgime në terren, dokumenetim teknik dhe vizual si dhe raportime nga komunitetet lokale, organizatat kanë evidentuar ndryshime në morfologjinë e lumit, nxjerrje të materialeve inerte nga shtrati dhe brigjet, si dhe depozitime të materialeve të gërmimit në afërsi ose brenda trupit ujor. Sipas tyre, këto ndërhyrje mund të ndikojnë në cilësinë e ujit, biodiversitetin, stabilitetin e brigjeve dhe ekuilibrin natyror të ekosistemit lumor.
Në letrën e hapur drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, Ministrit të Mjedisit, Z. Sofjan Jaupaj, si dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e burimeve ujore dhe monitorimin mjedisor, organizatat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme institucionale dhe verifikim të plotë të ligjshmërisë së veprimeve të kryera në lumë.
Konkretisht, organizatat kërkojnë:
- Inspektim urgjent në terren nga institucionet kompetente dhe publikim i një raporti zyrtar me gjetje dhe masa konkrete;
- Verifikim i përputhshmërisë së ndërhyrjeve me lejet për përdorim të burimit ujor dhe kushtet e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis;
- Monitorim i cilësisë së ujit dhe i sedimenteve në segmentet e prekura;
- Hartim dhe zbatim i një plani rehabilitimi për zonat e dëmtuara;
- Transparencë e plotë mbi dokumentacionin, vendimet dhe kushtet e lejeve të dhëna.
Organizatat theksojnë se përdorimi i materialeve inerte lumore duhet të jetë në përputhje të rreptë me standardet teknike dhe ligjore në fuqi dhe se çdo devijim nga këto standarde rrezikon të shkaktojë pasoja afatgjata mjedisore dhe territoriale. Pasojat e këtyre ndërhyrjeve janë të dukshme edhe në këtë fazë të punimeve, por mund të jenë edhe më të mëdha në kohë afatgjatë, duke rrezikuar qëndrueshmërine e brigjeve të lumit, rrugët, tokat dhe shtëpitë apo bizneset në anë të lumit.
Ky është një shqetësim i ngritur edhe më parë nga organizatat lokale dhe banorët e prekur, duke theksuar se kjo iniciativë nuk është kundër zhvillimit infrastrukturor, por në mbështetje të një zhvillimi të përgjegjshëm, të balancuar dhe në përputhje me legjislacionin mjedisor dhe interesin publik.
Lumi Shkumbin përfaqëson një pasuri natyrore me rëndësi të veçantë për komunitetet lokale, bujqësinë, biodiversitetin dhe stabilitetin ekologjik të rajonit. Mbrojtja e tij kërkon monitorim të vazhdueshëm, transparencë institucionale dhe respektim të plotë të kuadrit ligjor.
Këtu gjeni letrën e plotë të nënshkruar nga organizatat, e cila përmban detaje të mëtejshme mbi shqetësimet dhe kërkesat drejtuar institucioneve përgjegjëse.
Letër e hapur nga organizatat e shoqërisë civile mjedisore







