Më datat 12–13 shtator, në fshatin Qarrishtë, organizata AlbNatyra, në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Elbasan dhe me mbështetjen e Prespa Ohrid Nature Trust – PONT (PONT), zhvilloi aktivitetin përmbyllës të projektit “Nxitja e banorëve për mbështetjen e menaxhimit të qëndrueshëm.”
Ky aktivitet nuk ishte thjesht një takim formal, por një festë e vogël komunitare, një mundësi për reflektim dhe për të vizionuar të ardhmen e përbashkët të Parkut Kombëtar Shebenik, një nga pasuritë më të çmuara natyrore të vendit.
Pjesëmarrësit patën mundësi të marrin pjesë në një ecje përgjatë rrugëve të gurta të fshatit historik të Qarrishtë, ku udhërrëfyesit lokalë treguan histori të vjetra, rrëfenja mbi jetën tradicionale dhe lidhjen e ngushtë të banorëve me natyrën përreth.
Më pas, u organizua një degustim i gatimeve tradicionale, ku ushqimet e përgatitura me dashuri nga banorët vendas sollën aromën dhe shijen e vërtetë të kulturës vendore.
Gjithashtu, u zhvilluan diskutime të hapura me komunitetin dhe partnerët, ku u analizuan sfidat aktuale si ruajtja e biodiversitetit, ndalimi i shfrytëzimit të pakontrolluar të burimeve natyrore, dhe nevoja për të promovuar turizmin e qëndrueshëm por edhe mundësitë që ofron parku për zhvillim lokal.
Ky takim nuk ishte vetëm një përmbyllje projekti, por një moment frymëzimi, që tregoi se sa e rëndësishme është pjesëmarrja aktive e banorëve në ruajtjen e vlerave të parkut.
Falënderim i veçantë shkon për banorët e Qarrishtës, që na hapën dyert dhe zemrat e tyre,të rinjtë, të cilët me energjinë dhe entuziazmin e tyre treguan se janë gjenerata e re e kujdestarëve të natyrës,dhe të gjithë partnerët e projektit që kontribuan me mbështetje, ide dhe përkushtim.
Ky aktivitet përmbyllës na kujtoi edhe një herë se forca e bashkësisë dhe dashuria për natyrën janë çelësi për një të ardhme më të gjelbër, më të qëndrueshme dhe më të drejtë për të gjithë.



