Zbutja e konfliktit midis fermerëve lokalë dhe faunës së egër është një nga objektivat kryesore të projektit “Forcimi i Angazhimit të Komunitetit Lokal në Menaxhimin e Qëndrueshëm të Parkut Kombëtar Shebenik”, i mbështetur nga CEPF (Critical Ecosystem Partnership Fund).
Parku Kombëtar Shebenik përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit në Shqipëri, duke strehuar specie të shumta të faunës së egër si ariu i murrmë, ujku, derri i egër dhe lloje të tjera që lëvizin në habitatet pyjore dhe kullotat malore të parkut. Prania e këtyre specieve është një tregues i rëndësishëm i shëndetit ekologjik të ekosistemit, por në të njëjtën kohë mund të krijojë sfida për komunitetet lokale që mbështeten në bujqësi, blegtori dhe pemëtari për sigurimin e të ardhurave.
Në disa fshatra brenda dhe përreth Parkut Kombëtar Shebenik, projekti po punon ngushtë me fermerët dhe blegtorët lokalë për të identifikuar problematikat kryesore që lidhen me dëmtimin e kulturave bujqësore, pemëtarive, bletarive dhe bagëtive nga fauna e egër. Përmes një qasjeje bashkëpunuese, fermerët po ndërgjegjësohen mbi rëndësinë e ruajtjes së biodiversitetit dhe po mbështeten për të përdorur metoda parandaluese dhe miqësore me natyrën, të cilat reduktojnë konfliktet pa dëmtuar kafshët e egra.
Në kuadër të projektit, AlbNatyra do të mbështesë rreth 20 fermerë dhe familje rurale me masa praktike për mbrojtjen e pronave dhe aktiviteteve të tyre ekonomike nga dëmet e mundshme të shkaktuara nga fauna e egër. Këto masa mund të përfshijnë instalimin e sensoreve te alarmit me solar, të sigurt për kafshët, përforcimin e staneve dhe vendstrehimeve të bagëtive, përdorimin e sistemeve paralajmëruese dhe mjeteve të tjera parandaluese të përshtatura sipas nevojave të komunitetit dhe karakteristikave të zonës.
Përveç mbështetjes materiale, projekti do të organizojë aktivitete trajnuese dhe informuese për fermerët, me fokus në praktikat më të mira të menaxhimit të bagëtive, ruajtjen e kulturave bujqësore dhe përdorimin e metodave jo-dëmtuese për largimin e kafshëve të egra. Kjo qasje synon të ulë humbjet ekonomike të banorëve, të rrisë tolerancën ndaj pranisë së faunës së egër dhe të forcojë rolin e komuniteteve lokale si partnerë aktivë në ruajtjen e natyrës.
Përmes këtyre veprimeve, projekti kontribuon në krijimin e një modeli të qëndrueshëm bashkëjetese midis njeriut dhe natyrës, ku zhvillimi ekonomik i komuniteteve rurale dhe ruajtja e biodiversitetit ecin paralelisht. Zbutja e konfliktit njeri-faunë e egër jo vetëm që ndihmon fermerët të mbrojnë burimet e tyre të jetesës, por gjithashtu siguron mbrojtjen afatgjatë të specieve të egra dhe ekosistemeve unike të Parkut Kombëtar Shebenik.







