Gramsh, AlbNatyra zhvillon analizën vjetore, në prioritet restaurimi i zonave të dëmtuara nga zjarret
Gramsh, 23 Dhjetor 2025, Shoqata AlbNatyra zhvilloi në qytetin e Gramshit takimin e saj të analizës vjetore, duke bërë një përmbledhje të aktiviteteve të realizuara gjatë vitit 2025 dhe duke diskutuar prioritetet dhe drejtimet e punës për periudhën në vijim.
Zgjedhja e Gramshit për zhvillimin e këtij takimi lidhet me faktin se ky është një nga qytetet ku AlbNatyra ka anëtarë dhe bashkëpunëtorë, por edhe një territor me rëndësi të veçantë për veprimtarinë e organizatës në mbrojtjen e natyrës, ruajtjen e biodiversitetit, pyjeve dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Në takim morën pjesë Ndriçim Çela, Kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të AlbNatyra; Lirie Bezhani, Drejtuese e Bordit; Gëzim Shuli, Drejtor Ekzekutiv; Lindita Kokonozi, koordinatore e grupit të grave dhe vajzave, si dhe anëtarë të tjerë e bashkëpunëtorë të organizatës. Një kontribut të veçantë në diskutimet për problematikat lokale dha edhe Eduart Rrodhe, inxhinier pyjesh në Gramsh, me njohje të drejtpërdrejtë të territorit dhe problematikave të pyjeve të zonës.
Zjarret dhe restaurimi i pyjeve – një nga prioritetet për Gramshin
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua zjarreve në pyje dhe kullota gjatë vitit 2025, të cilat prekën sipërfaqe të konsiderueshme edhe në territorin e Gramshit.
Pjesëmarrësit diskutuan nevojën që, krahas parandalimit dhe forcimit të ndërgjegjësimit ndaj zjarreve, vëmendja të zhvendoset edhe drejt vlerësimit të sipërfaqeve të dëmtuara dhe restaurimit ekologjik të tyre.
Në këtë kuadër, AlbNatyra synon të shqyrtojë mundësitë për hartimin dhe zbatimin e projekteve për pyllëzim, ripyllëzim dhe rehabilitim të ekosistemeve pyjore të dëmtuara nga zjarret në Gramsh, në bashkëpunim me ekspertë të pyjeve, institucionet vendore, komunitetet dhe partnerë të tjerë.
Ndërhyrjet e ardhshme duhet të bazohen në vlerësimin e gjendjes në terren, shkallën e rigjenerimit natyror dhe karakteristikat ekologjike të secilës zonë. Aty ku është e mundur duhet të mbështetet rigjenerimi natyror, ndërsa pyllëzimet apo ndërhyrjet restauruese të realizohen me specie autoktone dhe të përshtatura me kushtet lokale.
Më shumë projekte dhe përfshirje të komunitetit
Gjatë analizës u diskutuan gjithashtu mundësitë për hartimin e projekteve të reja në fushën e ruajtjes së biodiversitetit, monitorimit të faunës së egër, restaurimit të habitateve, menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe burimeve natyrore, si dhe për rritjen e pjesëmarrjes së komuniteteve lokale në këto procese.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua përfshirjes më aktive të grave dhe vajzave, të rinjve, profesionistëve lokalë dhe qytetarëve në aktivitetet mjedisore dhe nismat komunitare.
AlbNatyra vlerëson se mbrojtja afatgjatë e natyrës nuk mund të realizohet vetëm përmes institucioneve apo organizatave mjedisore, por kërkon pjesëmarrjen aktive të njerëzve që jetojnë pranë këtyre burimeve dhe që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me territorin.
Takimi shërbeu gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të AlbNatyra-s në Gramsh, Elbasan, Librazhd dhe zona të tjera të qarkut, si dhe për përcaktimin e prioriteteve konkrete të organizatës për vitin e ardhshëm.
AlbNatyra do të vijojë të punojë për mbrojtjen dhe restaurimin e natyrës, duke ndërthurur ekspertizën profesionale, pjesëmarrjen e komunitetit dhe zhvillimin e projekteve konkrete në terren.
AlbNatyra për natyrën, për komunitetin, për të ardhmen.







