AlbNatyra anëtarësohet në Federatën Evropiane të Parqeve EUROPARC

WhatsApp Image 2025-12-01 at 3.12.42 PM

AlbNatyra ka arritur të anëtarësohet në EUROPARC Federation, rrjetin më të madh evropian të organizatave dhe institucioneve që punojnë për menaxhimin efektiv dhe të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura. Ky anëtarësim përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin institucional të organizatës dhe një vlerësim të drejtpërdrejtë të punës shumëvjeçare të AlbNatyra në fushën e ruajtjes së natyrës në Shqipëri.

Procesi i anëtarësimit u bazua në përvojën afatgjatë të AlbNatyra në menaxhimin e zonave të mbrojtura, monitorimin e biodiversitetit dhe përfshirjen aktive të komuniteteve lokale. Për më shumë se dy dekada, AlbNatyra ka kontribuar në zbatimin e masave të planeve të menaxhimit, forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse dhe zhvillimin e mekanizmave të monitorimit qytetar në Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe zonat përreth, në bashkëpunim të ngushtë me Administratën e Zonave të Mbrojtura Elbasan.

Një element kyç që mbështeti anëtarësimin në EUROPARC ishte angazhimi i organizatës në ruajtjen e specieve të rrezikuara dhe habitateve me rëndësi konservuese, përmes bashkëpunimit të ngushtë me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura, rangerët e parkut, komunitetet lokale dhe aktorë akademikë. Rezultatet e monitorimit të faunës, përfshirë konfirmimin e pranisë së rrëqebullit ballkanik dhe specie të tjera kyçe, kanë shërbyer si bazë për vendimmarrje më të informuar dhe masa konkrete mbrojtëse.

Po ashtu, EUROPARC vlerësoi qasjen e AlbNatyra ndaj përfshirjes sociale në ruajtjen e natyrës, veçanërisht përmes angazhimit të të rinjve, mbështetjes së blegtorisë tradicionale dhe promovimit të kullotjes së qëndrueshme si një praktikë që kontribuon në ruajtjen e peizazheve kulturore dhe biodiversitetit. Aktivitetet e zhvilluara kanë ndihmuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe në forcimin e lidhjes midis komuniteteve dhe zonave të mbrojtura.

Anëtarësimi në EUROPARC Federation hap mundësi të reja për shkëmbim përvojash, ndërtim partneritetesh dhe zhvillim të iniciativave të përbashkëta në nivel evropian. Për AlbNatyra, ky hap përfaqëson jo vetëm një njohje të arritjeve të deritanishme, por edhe një angazhim për të vijuar punën drejt standardeve më të larta evropiane në menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe ruajtjen e natyrës në Shqipëri por edhe në rajon nëpërmjet bashkëpunimeve me partnerë të tjerë.

Për më shumë ndiqni publikimin e lajmit edhe në faqen zyrtare të Federatës EUROPARK  ==  kliko këtu

Related Posts